Dy të moshuar janë mbajtur nën presion për 30 minuta nga dy grabitës e më pas janë dhunuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shtoj i Vjetër, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër. Dy të moshuarit, Maliq e Life Tahiri gjendeshin brenda banesës së tyre kur rreth orës 19:10 të së shtunës dy persona të maskuar kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë kërkuar lekë.

Çifti Tahiri i është përgjigjur duke thënë se janë thjeshtë pensionistë dhe se nuk kanë para. Grabitësit me pistoletë në dorë nuk kanë reshtur për 30 minuta duke ushtruar presion psikologjik tek dy të moshuarit duke i kërkuar para. Pas afro gjysëm orë i zoti i shtëpisë Maliq Tahiri, afro 75 vjeç është goditur nga njëri prej grabitësve me qytë pistoletë në kokë dhe në njërën prej faqeve të tij duke pësuar dëme. Pas rezistencës së dy të moshuarve, grabitësit janë larguar me shpejtësi duke mos lënë shumë gjurmë sepse ishin të maskuar dhe me doreza në duar. Sapo janë larguar Maliq Tahiri ka marrë çiften e tij për të cilën posedon edhe lejen përkatëse dhe ka qëlluar disa herë në ajër për t’i dhënë fshatit sinjalin se diçka ka ndodhur në banesën e tij. Komshinjtë aty pranë dhe të afërm të tjerë që kanë ardhur me shpejtësi kanë njoftuar forcat e policisë të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të arritur në identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Dy autorët e këtij krimi nuk ia kanë arritur qëllimit dhe idea e tyre ka mbetur në tentativë sepse nuk kanë arritur që të marrin asgjë në banesë. Çifti Tahiri jetonin të vetëm sepse djali i tyre ndodhet jashtë Shqipërisë. Maliq e Life Tahiri janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës nga ku kanë marrë edhe ndihmën mjekësore.