Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Komanit, ku dy persona kanë humbur jetën pasi dyshohet se kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të një biznesi pranë rrugës së Komanit. Sipas informacioneve paraprake të Policisë, dy personat po ndërhynin për të rregulluar një instalim elektrik, në momentin kur kanë rënë në kontakt me rrymën.

Si pasojë, të dy pësuan dëmtime të rënda dhe u transportuan me urgjencë për ndihmë mjekësore. Sokol Preka, 40 vjeç, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit. Pak më vonë, edhe David Deda, 46 vjeç, humbi jetën teksa po transportohej për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, Deda punonte si elektricist pranë nënstacionit elektrik të Komanit, ndërsa Preka ishte roje i biznesit ku ndodhi ngjarja.

Në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Ekspertët pritet të përcaktojnë mënyrën se si dy personat ranë në kontakt me energjinë elektrike, si dhe nëse janë respektuar masat e sigurisë gjatë ndërhyrjes në instalimin elektrik.

https://youtu.be/d2nAGqkt3Ew

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNELSON HYSA I PATHYESHËM, HEDH NË TAPET NORVEGJEZIN NARMO PAS VETËM DY RAUNDEVE
Artikulli tjetërSHPËRTHEN BOMBULA, PLAGOSEN 6 PERSONA NË LEZHË