
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në autostradën Lezhë-Tiranë, ku dyshohet për një rast pengmarrjeje. Sipas informacioneve paraprake, disa persona që mbërritën me një automjet në një biznes përgjatë autostradës kanë marrë me forcë një person dhe janë larguar menjëherë.
Burime bëjnë me dije se viktima e dyshuar e pengmarrjes është shtetasi Dod Gjoka. Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe ka arritur të identifikojë dy autorët e dyshuar të ngjarjes, ndërsa vijon puna për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të motiveve.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në vendparkimin e automjeteve të një lokali në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre shtetas kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë me automjet, shtetasin D. Gj., rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në përimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht shtetasit K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh.
Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.