Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme një video ku flitet për tre raportet OECD, OKB dhe DASH të cilët kanë vlerësuar maksimalisht e-albanian.

Revolucion dixhital e ka cilësuar kreu i qeverisë, i cili bashkangjitur ka publikuar edhe shifrat duke bërë me dije se nga 1 janari deri më tani janë bërë 2,5 milionë aplikime online.

“Mirëmëngjes dhe me këtë lajm nga bota për Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë *** e-Albania vlerësohet botërisht si model suksesi! Raporti i OECD, OKB dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë veçuar pozitivisht qeverisjen digjitale të Shqipërisë, e cila në këtë fushë ka lënë pas të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Plot 2,5 milionë aplikime online të bëra nga 1,1 milionë qytetarë dhe biznese nga 1 janari, deri tani.

Nga këto, 1,7 milionë aplikime kanë marrë përgjigje automatike online me vulë digjitale të shkarkuar nga e-Albania. Kemi shmangur 2.5 milionë vajtje-ardhje nëpër zyra shërbimesh!

Si mund të thuhet që nuk është lehtësuar qytetari nga pesha e burokracisë dhe gjërat qenkan njësoj?! Patjetër ka ende shumë për të bërë, por e para revolucioni i shërbimeve vazhdon dhe e dyta në statistikën e mësipërme nuk jane përfshirë plot 3 milionë lejet e daljeve që e mundësuan menaxhimin shembullor të gjendjes së jashtëzakonshme të karantinës.

RevolucioniDigjital nuk është më një ëndërr por një projekt në jetësim të vazhdueshëm, për ta futur shtetin në xhepin e qytetarëve dhe larguar që aty përgjithnjë duart e zyrtarucëve të padenjë”, shkruan Rama.