Që nga data 1 maj kur sezoni turistik u konsiderua i hapur në territorin e Bashkisë Shkodër, numri i turistëve vendas dhe të huaj ka njohur rritje graduale.

Gjatë të dielave në qytetin e Shkodrës vihet re një dyndje vizitorësh, të cilët janë përqendruar kryesisht në muzeun e kalasë Rozafa dhe muzeun e fotografisë Marubi, kjo pasi për 2 muzetë e tjera mesa duket akoma nuk ka filluar sezoni turistik. Gjatë një vëzhgimi të bërë nga Star Plus mesditën e së dielës përgjatë 1 ore, Muzeu Historik i qytetit të Shkodrës dhe Vend i Dëshmisë e Kujtesës ishin mbyllur.

Asnjë punonjës nuk ishte paraqitur për të ofruar shërbim për turizmin. Tabelat e ditëve të punës vijojnë të qëndrojnë të afishuara në ambientet e jashtme të këtyre dy muzeve. Ashtu siç ndodh gjatë dimrit kur numri i vizitorëve në qytet është deri diku i papërfillshëm, ndodh edhe gjatë sezonit veror. E diela është pushim, ndërsa mijëra turistë largohen nga Shkodra pa patur mundësi të vizitojnë Muzeun Historik të Qytetit dhe Vendin e Dëshmisë e Kujtesës.

Si pasojë e kësaj, jo vetëm se qytetarët nuk kanë mundësi të vizitojnë këto dy pika shumë të rëndësishme, por nga ana tjetrër, Bashkia Shkodër që është institucioni administrues, ka vendosur që gjatë të dielave të mos arkëtojë asnjë të ardhur nga këto dy muze.

Për shkak të kësaj, në shumë raste turistët dhe guidat turistike kanë shfaqur kërkesën e tyre që këto dy muze të Shkodrës, të paktën gjatë sezonit turistik të qëndrojë hapur për të ofruar informacion turistik gjatë vizitave nga grupet.

Artikulli paraprakÇOBAJ: BASHA NA PËRCOLLI FRYMËN E FITORES
Artikulli tjetërFUNDJAVA MBLEDH TURISTËT NË KALANË E SHKODRËS