Anglishtja e shkruar, së bashku me shumicën e gjuhëve moderne, është aq shumë e lidhur me alfabetin e saj, saqë ne mund ta marrim atë sot si të mirëqenë. Në fakt, edhe pse provat e para të shkrimit vijnë nga kuneiforma sumeriane 5000-vjeçare, njerëzve iu desh 1 mijëvjeçar tjetër për të përsosur metodën e renditjes së gjuhës, që shumica prej nesh e mësojnë tani që fëmijë.

Alfabeti duket se është shpikur për hrë të parë nga punëtorët semitë në Egjipt gati 4000 vjet më parë. Skema që krijuan ata, e njohur si shkrimi Proto–Sinaitik, ishte një përpjekje për të ripërdorur hieroglifet për gjuhën e tyre.

Egjiptologët zbuluan të parën nga këto mbishkrime në dekadat e para të shekullit XX-të, duke vënë në dukje ndikimin e tyre të qartë hieroglifik. Ato u gjetën në Gadishullin e Sinait, prandaj studiuesit supozuan se alfabeti proto–sinaitik e kishte origjinën atje, rreth vitit 1600 para Krishtit.

Vetëm në vitet 1990 egjiptologu i Universitetit të Jeilit, Xhon Darnell dhe gruaja e tij, DeboraDarnell, gjetën një paraardhës më të vjetër në mbishkrimet në Vadi El–Hol ose “Lugina e Terrorit”, një vend që ndodhet përgjatë lumit Nil në Egjipt.

Ato datojnë afërsisht në vitin 1800 Para Krishtit. Mbishkrimet nuk janë përkthyer ende plotësisht, por disa shkronja janë deshifruar. Madje disa prej tyre, janë qartësisht të kuptueshme në gjuhën angleze, pa nevojën e përkthimit. Për shembull, germa M na vjen pa shumë modifikime.

Semitët duket se e kanë huazuar hieroglifin për termin “ujë”, një vijë e valëzuar, për të përfaqësuar tingullin fillestar me fjalën e tyre për ujë “mem”. Gërma A, filloi si simboli i kokës së një demi, por në gjuhët e njëpasnjëshme, ajo u shndërrua shpejt në një formë të dallueshme.