FOTO ILUSTRUESE

Gjykata e shkallës së parë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Arben Bregun, 50-vjeçari i dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 2 qershor të 2020-ës Arben Bregu u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin e tij drejt Amerikës. Ai qëndroi në paraburgim për më shumë se 7 muaj, kur gjykata e apelit vendosi lirimin e tij pasi ishin tejkaluar afatet për ekstradimin e 50-vjeçarit drejt SHBA-ve.

Në 23 shtator Gjykata e Apelit në Shkodër pranoi kërkesën për ekstradim. 50-vjeçari përmes avokatit mbrojtës nuk bëri rekurs në gjykatën e lartë duke pranuar kështu vendimin për ekstradimin e tij dhe në 17 janar gjyqtari i shkallës së parë në Shkodër Andri Ymeri vendosi shuarjen e masës “arrest me burg” duke qenë se kishte kaluar afati 10 ditor për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke e lënë të lirë 50-vjeçarin.

Gjatë kohës që qëndroi në paraburgim Arben Bregu ka telefonuar disa herë ambasadën amerikane që të ekzekutohet vendimi i ekstradimit drejt SHBA-ve por Ambasada dhe Interpol Washington nuk kanë vepruar. Pasi kanë kaluar muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar kur vendimi për ekstradim konsiderohet i ekzekutueshëm Arben Bregu për shkak të mosveprimit për ekstradim dhe kalimit të afatit bëri një kërkesë për ta pritur i lirë ekstradimin drejt Amerikës, e parashikuar në ligj.

Në këtë mënyrë Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi lirimin e të burgosurit Arben Bregu për të pritur i lirë ekstradimin, vendim i ekzektuar edhe nga shkalla e parë në 17 janar. Pas këtij vendimi, 6 ditë më pas në 23 janar 50-vjeçari u arrestua sërish për të dytën herë për të njëjtën çështje për të cilën ishte liruar pak ditë më parë, esktradimin drejt SHBA-ve.

Dy ditë pas arrestimit për herë të dytë që pala mbrojtëse e Arben Bregut e cilëson si absurde duke qenë se gjykata është shprehur një herë për atë çështje, në 25 janar shkalla e parë me kërkesë të prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Arben Bregun por me mbikqyrje policore brenda në shtëpi, një vendim ky që i jep të drejtë gjyqtarit Ymeri ndërsa Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për të parë gjithë mekanizmin ligjor për këtë rast.

Ministria e Drejtësisë më herët kërkoi që Arben Bregu të mos lirohej për shkak se letërporosia kishte vonuar të vinte nga SHBA për shkak të pandemisë dhe se ishin në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet amerikane për këtë çështje.

Tashmë në gjykatën e apelit avokati mbrojtës do të kërkojë heqjen e mbikqyrjes policore në mënyrë që Arben Bregu gjatë kohës që është në “arrest shtëpie” të presë ekstradimin drejt Amerikës për nisjen e procesit gjyqësor për veprën penale të vrasjes të mbetur në tentativë për të cilën dyshohet atje,

ngjarje e ndodhur në Duval të Floridas në vitin 2013 ndërsa në 2016-ën gjykata e katërt në Duval e shpalli fajtor, një vendim i cili nuk është përfundimtar.