Reshjet e majit dhe gjysmës së parë të muajit qershor kanë sjellë rritjen e nivelit të liqenit të Fierzës. Lumenjtë dhe përrenjtë dhjetëfishuan prurjet, të cilat ndikuan në rritjen e menjëhershme të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës. Prurjet janë shtuar në 270 metër kub ujë në sekondë. Aktualisht kuota e liqenit është 295 metra. Edhe një metër i nevojitet të arrijë në kuotën maksimale 296 metra mbi nivelin e detit me një kapacitet prej 3 miliard metër kub ujë.

Ky nivel duket shenjë e mirë për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare për sigurimin e rezervës ujore për periudhën e verës pasi  aktualisht Fierza ka një rezervë ujore shumë premtuese dhe më të lartë jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar por edhe me mesataren shumëvjecare. Ndryshe nga vitet e kaluara janë prurje të pazakonta në liqenin e Fierzës. Në verilindje ka reshje shiu të shpeshta dhe prurje uji të larta që shkarkohen nga lumenjtë dhe përrenjtë.

Kështu prej ditësh kuota në liqenin e Fierzës është afër kuotës maksimale e cila sipas specialistëve cilësohet si kuota brenda normave të lejuara për digën e hidrocentralit të Fierzës. Nga Portat nuk ka shkarkime, kurse hidrocentrali punon me kapacitet të plotë prodhimi në katër agregatet e tij me rreth 400 megavat. Kjo periudhë favorizuese mund të jetë periudhë e artë për kaskadën e Drinit duke akumuluar rezerva ujore të pazakonta në këto muaj të verës. Vitet e mëparshme në të njëjtën periudhë, hidrocentrali i Fierzës ishte pothuajse në pikën kritike me 274 metra mbi nivelin e detit dhe ku vihej në diskutim edhe prodhimi i energjisë elektrike.

Prej muajsh në vitet e mëparshme niveli qëndronte në afro 296 metra me luhatje të pandjeshme plus-minus 50 centimetra. Veç pamjes së rrallë qe i ka dhënë zonës përreth Kukësit, ka qenë një ndër periudhat më optimale për Koorporatën Elektroenergjitike shqiptare rritja e nivelit. Rezervat e bollshme hidrike kanë lejuar Fierzën, por edhe dy HEC-et e tjera të kaskadës, Komanin dhe Vaun e Dejës të punojnë me kapacitet të plotë.

Prurjet e fundit janë mëse të mjaftueshme për të ruajtur balancën mes sasisë së ujit që del nga katër turbinat që prodhojnë energji elektrike dhe sasisë së prurjeve që shkarkohen në liqenin e Fierzës.

 

 

Artikulli paraprakMATURANTËT NË DITËN E DYTË TË PROTESTËS
Artikulli tjetërPROTESTAT, REAGON KOMITETI I MATURËS SHTETËRORE