Blediana Nika ka reaguar një ditë pas shkarkimit si drejtore e zyrës vendore të arsimit Shkodër. Ka mbi një muaj që i është kërkuar dorëheqja por Nika nuk ka pranuar të japë dorëheqjen si një pjesë e drejtorëve të tjerë derisa është marrë vendimi për shkarkimin e saj.

Pas debateve të shumta dhe vendimit për shkarkim përmes një reagimi në facebook ish-drejtorja tashmë e arsimit në Shkodër thotë se padrejtësia është kthyer në ligj dhe kur ndodh kështu rezistenca është detyrë duke nënkuptuar debatet prej më shumë se një muaji lidhur me këtë çështje. Sipas saj zbatimi i ligjit i ka krijuar shumë armiq dhe ky shkarkim është bërë nga disa persona si një borxh që duhet larë të tjerëve. Ja reagimi i plotë i ish-drejtores Blediana Nika:

“Të nderuar miq, sot dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë bashkëpunëtorët e mi gjatë ushtrimit të detyrës si drejtore e ZVAP Shkodër që nga data 26.11.2019 e deri më sot. Ka qënë një rrugëtim i vështirë, i lodhshëm, kjo edhe prej situatës së Pandemisë dhe mësimit online, por i bërë me shumë përkushtim. Unë e kam dashur gjithmonë fushën e arsimit dhe edukimit.

Këtë dashuri më ka injektuar familja ime që në vogëli, dhe unë s’e tradhëtova kurrë këtë dashuri. Mësuesi për mua është personi kyç në edukimin e brezave dhe zhvillimin e një shoqërie. Gjatë ushtrimit të detyrës si drejtuese e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Shkodër, dera e institucionit tim ka qënë e hapur për të gjithë mësuesit. Jam përpjekur maksimalisht t’i mbroj të drejtat e tyre përmes ZBATIMIT TË LIGJIT.

Sepse motoja ime ka qënë dhe vazhdon të jetë “Kur padrejtësia kërkon të kthehet në ligj, rezistenca është detyrë.” Por fjala “ligj” krijon shumë armiq. Bën një diferencë të madhe, të denjë për ARSIMIN NË SHKODËR, por të papërballueshme për ata që janë mësuar t’i lajnë borxhet që u kanë të tjerëve duke sakrifikuar të drejtën dhe meritokracinë.

“SHKODRA KA QËNË DHE ËSHTË NJË STANDARD I LARTË”. Ky ka qënë edhe motivimi im kryesor për të dhënë maksimumin. Gjithësi jam e mendimit se detyra nuk bëhet për të marrë falenderime, bëhet për princip, për dinjitet vetjak”.

Pas shkarkimit të Blediana Nikës si drejtore e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër në vend të saj u komandua Sindis Kopliku e cila sëfundmi ka punuar në Zyrën e Punës në Shkodër ndërsa më përpara ka qenë edhe pjesë e arsimit parauniversitar.

Artikulli paraprakBASHKIA SHKODËR: TË HEQIM FËMIJËT NGA RRUGA
Artikulli tjetërMURIQAN, TOKAT BUJQËSORE RREZIKOHEN NGA RRJEDHA E BUNËS