Kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, zgjodhi t’u drejtohej të pranishmëve në gjuhën shqipe në Komitetin për Punë të Jashtme, në kuadër të Samitit “Parlamenti Evropian – Ballkani Perëndimor”, duke krijuar krijuar fillimisht pak konfuzion për faktin se kreu i Komitetit David McCallister ngeli nje moment pa përkthyes.

Në Maqedoninë e Veriut është në fuqi dygjuhësia, ku qytetarët në të gjitha institucionet shtetërore mund të përdorin maqedonishten apo shqipen, megjithatë fakti se gjuha shqipe u dëgjua dy herë në Samit, i dha një atmosferë tjetër atij.

Gjatë deklaratës së tij Xhaferri i ka kushtuar rëndësi vetos bullgare për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Për fat të keq, në vend të bisedimeve tani po ballafaqohemi me pengesë për disa kërkesa të caktuara bilaterale. Qëndrimi ynë është se korniza e dakorduar me Bullgarinë na jep bazë për bashkëpunim dhe ne jemi të gatshëm për të tejkaluar situatën sipas standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu dëshiroj të theksoj se këto ngjarje nuk duhet të kenë ndikim në hapjen e bisedimeve për anëtarësim”, tha Xhaferri.

Në samit të pranishën ishin edhe kryeparlamentari i Shqipërisë Gramoz Ruçi dhe kreu i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili zgjodhi të flasë anglisht si dhe krerët e parlamenteve të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe parlamentarët evropianë po ashtu.

Artikulli paraprakDERMATOLOGIA: RRITET NUMRI I VIZITAVE PËR PROBLEMET E LËKURËS
Artikulli tjetër‘KUSHTETUESJA’ VENDOS HAPJEN E LISTAVE 100% PËR ZGJEDHJET PASARDHËSE, PRANON PJESËRISHT KËRKESËN E BINDJES DEMOKRATIKE DHE LËVIZJES DEMOKRATIKE SHQIPTARE PËR MANDATET SIPAS HERËSIT