
Vllaznia i dha fund në mënyrën më të rëndë aventurës europiane, duke u eliminuar nga Liga e Konferencës pas humbjes së thellë 5-0 ndaj Malishevës në Prishtinë. Kuqeblutë zhvilluan një ndeshje pa identitet dhe pa reagim, ndërsa skuadra kosovare dominoi plotësisht takimin, duke shënuar dy gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në të dytën. Pas ndeshjes, trajneri i Malishevës, Thomas Brdariç, u shpreh se kishte qenë i bindur se skuadra e tij do ta eliminonte Vllazninë.
Më shqetësuese se rezultati ishte mungesa e çdo reagimi nga drejtuesit e klubit, të cilët nuk dolën në asnjë deklaratë për mediat. Kjo humbje nxori sërish në pah problemet e vazhdueshme organizative të Vllaznisë, nga çështjet me federimin e lojtarëve dhe borxhet, deri te merkatoja e paplotë. Ndërkohë, tifozët kuqeblu, që udhëtuan për të mbështetur skuadrën në Prishtinë, u larguan të zhgënjyer, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndryshime konkrete pas një prej eliminimeve më të rënda në historinë europiane të klubit.






