Më shumë se një në katër persona të moshës 16 vjeç e lart në Shqipëri raportojnë vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një aktivitet bazë të përditshëm.

Sipas të dhënave të Eurostat, 28.4% e personave 16 vjeç e lart në Shqipëri raportonin në vitin 2022 vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një nga gjashtë aktivitetet bazë të matura: shikim, dëgjim, ecje, kujtesë ose përqendrim, komunikim dhe kujdes për veten.

Në të njëjtin vit, mesatarja e Bashkimit Europian ishte 37.4%. Eurostat vëren se më shumë se një në tre europianë të kësaj grupmoshe raportonte të paktën një vështirësi të tillë. Në Shqipëri, ecja është vështirësia më e raportuar, nga 19.4% e personave, e ndjekur pothuajse në të njëjtin nivel nga shikimi, me 19.3%. Më pas renditen vështirësitë në dëgjim, me 13.2%, problemet me kujtesën ose përqendrimin, me 11.1%, vështirësitë për kujdesin ndaj vetes, me 8.5%, dhe ato në komunikim, me 7.3%.

Modeli është i ngjashëm me atë europian, por jo plotësisht. Në BE, në vitin 2022, problemi më i përhapur ishte shikimi, me 20.3%, i ndjekur nga ecja me rreth 18%.

Raporti më i fundit i Eurostat për kushtet e jetesës në Europë e lidh fort praninë e këtyre vështirësive edhe me gjendjen ekonomike. Në vitin 2025, për secilën nga gjashtë aktivitetet, europianët në rrezik varfërie raportonin më shpesh vështirësi sesa pjesa tjetër e popullsisë. Diferenca ishte më e fortë tek ecja: 24.9% e personave në rrezik varfërie raportonin probleme të moderuara ose të rënda, kundrejt 16.9% të atyre që nuk ishin në rrezik, një hendek prej 8 pikësh përqindjeje. Mosha është një tjetër faktor i rëndësishëm. Në BE, vetëm 3.4% e personave 16-44 vjeç raportonin vështirësi të rënda në aktivitetet bazë në vitin 2022, ndërsa te grupmosha 65 vjeç e lart përqindja arrinte në 22.7%./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakKUSHTE ATMOSFERIKE TË QËNDRUESHME, PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË TË ENJTE
Artikulli tjetërKURSIMTARE APO ME MË PAK PARA? FAMILJET ME KRYEFAMILJARE GRA SHPENZOJNË 20 MIJË LEKË MË PAK