Eco Albania i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama me qëllim mbrojtjen e Lumit Vjosa.

Në letrën e tyre, nisur nga deklarata e Ramës në ‘Open’ i cili tha se nuk mund të shpallet Vjosa Park Kombëtar se do pengonte zhvillimin e agroturizmit, Eco Albania kërkon që të mblidhen në një takim për të diskutuar se si mund të mbrojnë Lulim Vjosa.

Në këtë linjtë, ato shprehen se e drejtë do të ishte që Vjosa të Park Kombëtar të Kategorisë së dytë, e për këtë japin edhe argumentet.

“Duke marrë parasysh sa më sipër, ne do të dëshironim të theksonim se regjimi më i përshtatshëm i mbrojtjes për Vjosën nuk do të ishte asgjë tjetër përveç Parkut Kombëtar (Kategoria II) sepse: Siguron ruajtjen afatgjatë të integritetit natyror, biodiversitetit dhe proceseve natyrore të një ekosistemi kaq të gjerë, të larmishëm dhe të gjallë. Përfaqëson opsionin më të mirë për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin rajonal përmes një truizmi të qëndrueshëm bazuar në natyrë, kulturë dhe bujqësi

Me këtë rast do të ishim të lumtur të kishim një takim me ju dhe të diskutonim për opsionet dhe mundësitë sesi ne dhe organizatat ndërkombëtare mund të mbështesim Shqipërinë për krijimin e Parkut të parë Kombëtar të një lumit të egër në Evropë”, shkruhet në letër.

Letra e plotë

Në deklaratën tuaj në 1 prill 2021 në Top Channel1 ju deklaruat se Vjosa tashmë është një Zonë e Mbrojtur dhe se një Park Kombëtar nuk është kategoria e duhur e mbrojtjes, sepse do të pengonte aktivitetin agroturistik në zonë.

Konkretisht ju thatë: “Vjosa është një Zonë e Mbrojtur por ne nuk mund ta shpallim atë luginë të gjerë si Park Kombëtar sepse kjo do të pengonte zhvillimin e agroturizmit, përkundrazi agroturizmi duhet të jetë pjesë e asaj zone”

Nisur nga ky reagim publik do të dëshironim të saktësonim përmes kësaj letre disa aspekte të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e lumit Vjosa.

Statusi i Mbrojtjes së Vjosës Duke vlerësuar gatishmërinë e Qeverisë për të shpallur Vjosën, Zonë të Mbrojtur që nga deklarata Juaj publike2 në shtator 2020, deri më sot ekziston vetëm një Vendim3 i Këshillit Kombëtar të Territorit që parashikon se Vjosa do të shpallet si Park Natyror/Rezervat Natyror i Menaxhuar (Kategoria IV).

Sipas ekspertëve ndërkombëtarëve, kjo është një kategori shumë e ulët dhe e papërshtatshme e mbrojtjes. Do të donim të theksonim se aktualisht kemi dy Parqe Natyrore në Shqipëri, nga të cilët njëri është rezervuari i hidrocentralit të Ulzës. Për më tepër në vendimin4 e KKT-së, nuk përfshihen degët e Vjosës, të cilat gjithashtu do të ishin jetike për shëndetin e qëndrueshëm të gjithë luginës.

Në Shkurt 2021 ne, EcoAlbania së bashku me 20 OJQ brenda vendit paraqitëm zyrtarisht kërkesën dhe propozimin5 tonë për shpalljen e lumit Vjosa dhe degëve të tij si një Park Kombëtar në të gjithë gjatësinë e tij. Paralelisht ne jemi informuar se IUCN, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, gjithashtu ka publikuar një studim6 që përcakton mbrojtjen e luginës së Vjosës si Park Kombëtar.

Parku Kombëtar dhe ekoturizmi

Lidhur me shqetësimet Tuaja se lugina e Vjosës nuk mund të jetë Park Kombëtar, sepse do të parandalonte zhvillimin e agroturizmit, me kënaqësi do T’JU ftonim të merrni në konsideratë studimin e IUCN në këtë drejtim.

Udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare përfshijnë edukimin dhe rekreacionin e vizitorëve (ekoturizmin) si një komponent të rëndësishëm të menaxhimit të Parkut Kombëtar. Në fakt, Parku Kombëtar është e vetmja kategori e mbrojtjes që ndërthur mbrojtjen e natyrës, rekreacionin dhe edukimin në mënyrën më të mirë.

Në kundërshtim me deklaratën tuaj, opsioni e Parkut Kombëtar është një tërheqje shtesë për turistët, një markë e veçantë e turizmit. Në rastin e Vjosës, kjo do të ishte edhe më e vërtetë, kur flitet për Parkun Kombëtar të parë të një lumi të Egër të Evropës. Për më tepër tashmë ka shumë shembuj të mirë të Parqeve Kombëtare të ngjashme në rajon si:

Slloveni: Parku Kombëtar Triglav (lumi Soča): mbi 2,5 milion vizitorë në vit me më shumë se 5 milion € të ardhura për bizneset lokale.

Kroaci: Parku Kombëtar Krka: Mbi 1,3 milion vizitorë në vit

Maqedonia Veriore: Parku Kombëtar i Mavrovës pret më shumë se 3% të turistëve në të gjithë vendin çdo vit

Austri: Parku Kombëtar i Danubit, mbi 1,5 milion vizitorë në vit

Prandaj, përcaktimi i Vjosës dhe degëve të saj si Park Kombëtar, do të tërhiqte ekoturizmin dhe do të gjeneronte të ardhura të konsiderueshme për njerëzit dhe bizneset lokalë në atë zonë. Për më tepër, ai do t’i siguronte një rajoni të tërë – dhe mbase gjithë vendit – një vizion të ri dhe pozitiv.

Duke marrë parasysh sa më sipër, ne do të dëshironim të theksonim se regjimi më i përshtatshëm i mbrojtjes për Vjosën nuk do të ishte asgjë tjetër përveç Parkut Kombëtar (Kategoria II) sepse:

1. Siguron ruajtjen afatgjatë të integritetit natyror, biodiversitetit dhe proceseve natyrore të një ekosistemi kaq të gjerë, të larmishëm dhe të gjallë

2. Përfaqëson opsionin më të mirë për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin rajonal përmes një truizmi të qëndrueshëm bazuar në natyrë, kulturë dhe bujqësi

Me këtë rast do të ishim të lumtur të kishim një takim me ju dhe të diskutonim për opsionet dhe mundësitë sesi ne dhe organizatat ndërkombëtare mund të mbështesim Shqipërinë për krijimin e Parkut të parë Kombëtar të një lumit të egër në Evropë.

Ne do të ishim të lumtur nëse mund të na njoftonit, nëse dhe kur do të ishte e mundur për nje takim me JU.

Artikulli paraprakÇFARË E BËN DUBAIN, “QYTETIN E ARIT”? VETËM MË 2020-ËN NXORI MBI 40 MILIARDË EURO FITIME!
Artikulli tjetërSITUATË E RËNDUAR NË KOSOVË, 14,284 RASTE AKTIVE ME KORONAVIRUS, NGA 7 PRILLI NISIN MASAT E REJA