Reshjet e dendura kanë shkaktuar situatë problematike edhe në qarkun e Beratit. Rritja e nivelit të ujit në Lumin Osum ka bërë që 95 hektarë tokë bujqësore të jenë plotësisht nën ujë. Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë në Berat po punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Në zonën e Velabishtit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës, 4 banesa janë nën ujë, e po ashtu edhe një kopsht fëmijësh, 1 qendër shëndetësore, stalla e sera. Banorët ankohen për mungesë vëmendjeje nga bashkia.

“Kopshti është këtu, se shkolla jo. Edhe qendra shëndetësore. E treta herë që përmbytemi brenda muajit”, tha njëri prej banorëve.

“Katastrofë, 1 metër ujë në shtëpi. Janë prishur të gjitha. Ne për momentin jemi tek xhaxhai. Hera e dytë që përmbytemi brenda muajit. S’na kanë përfillur nga bashkia”, tha njëri prej banorëve.

Në bashkinë Dimal, janë përmbytur 15 banesa e po ashtu edhe gjimnazi “Muhamer Janina”.

“Ku e keni kryetarin e Bashkisë… sillni skafin këtu”, tha banori.

Përmbytje të tokave bujqësore raportohen edhe në bashkinë Kuçovë, në fshatin Tapi, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit Devoll.

Artikulli paraprakPËRMBYTJET MASIVE NË SHQIPËRI, PRESIDENTI BAJRAM BEGAJ: NDIQNI UDHËZIMET E STRUKTURAVE PËR EVAKUIM
Artikulli tjetërBLLOKOHET QARKULLIMI NË QAFËN E LLOGARASË PËR SHKAK TË RESHJEVE TË DËBORËS