Partia Socialiste ndez motorët për përballjen elektorale të viti 2017. Partia më e madhe e mazhorancës po ristrukturohet tërësisht, duke shpërndarë burimet njerëzore dhe njerëzit që gjenerojnë pushtet. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, së bashku me kryetarin e Asamblesë, Gramoz Ruçi kanë prezantuar skemën e re mbi të cilën do të jenë të organizuara për dy vitet e ardhshme degët e PS-së. Sipas skemës së re të drejtimit të partisë, Shqipëria do të ndahet në 6 rajone, ku secili do të përbëhet nga dy rajone fqinje.

Këto rajone do të vendosen në patronazh të dy ministrave, të cilët së bashku me deputetët e zonës do të koordinojnë punën qeverisë dhe nevojat e strukturave të partisë. Në këtë mënyrë, rajonet janë ndarë sipas këtij grupimi: Vlora dhe Gjirokastra, Fieri dhe Berati, Durrësi dhe Tirana, Elbasani dhe Korça, Kukësi dhe Dibra, Shkodra dhe Lezha. Dy janë njerëzit që do të kenë timonin kombëtar të strukturave të partisë: Edi Rama, si kryetar partie i cili do të jetë përgjegjës për zonën e veriut (Kukësi dhe Dibra, Shkodra dhe Lezha, Durrësi dhe Tirana)dhe Gramoz Ruçi, kryetar i Asamblesë, që do të jetë përgjegjës për 3 rajonet e tjera të jugut. Ndarja e ministrave të cilët do të marrin përsipër rajonet do të bëhet kryesisht sipas zonave ku ministrat janë zgjedhur fillimisht deputetë. Në këtë mënyrë ministrat do të jenë mes terreneve elektorale por edhe administrative të njohura, çka do t’jua thjeshtojë atyre punët e partisë. Në rastin kur zona drejtpërdrejtë nuk ka zgjedhur ndonjë deputet i cili është bërë ministër, atëherë kreu i partisë dhe ai i asamblesë do të zhvillojnë diskutime së bashku me deputetët e zonës për të gjetur emrat e përshtatshëm. Ndërkohë e papërcaktuar ngelen ministrat përgjegjës për rajonin e Shkodrës dhe Lezhës por dihet qe keto zona do te kene nje perqendrim te vecante te Kryeministrit Edi Rama

Artikulli paraprakPD, NË SHTATOR NIS ANALIZA E DEGËVE PËR ZGJEDHJET
Artikulli tjetërZGJEDHJET NË GREQI, TSIPRAS NIS FUSHATËN ELEKTORALE