Shkodra është kthyer për tre ditë në një qendër të rëndësishme të librit dhe kulturës, me çeljen e edicionit të dytë të Panairit të Librit “Libri të ban të lirë”, i organizuar në odeonin e hapur të famullisë “Zoja e Shkodrës”. Aktiviteti ka mbledhur autorë, studiues, botues dhe dashamirës të leximit, duke sjellë në qytet një atmosferë të pasur kulturore dhe letrare.
Në ceremoninë hapëse, Dom Vlash Palaj vlerësoi rëndësinë e këtij panairi si një mundësi për të afruar më shumë qytetarët me librin, kulturën dhe debatin intelektual, duke e konsideruar atë një hapësirë të nevojshme takimi mes autorëve dhe publikut.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe studiuesi arbëresh Matteo Mandala, i cili foli për lidhjet historike e kulturore mes arbëreshëve dhe Shkodrës, si dhe për rolin që gjuha shqipe dhe letërsia kanë pasur në ruajtjen e identitetit kombëtar ndër breza.
Ndërsa shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku u ndal te sfidat që po përjeton sot libri dhe leximi, duke e cilësuar panairin si një hapësirë të domosdoshme reflektimi dhe diskutimi për kulturën në qytet.
Përgjatë ditëve të panairit janë parashikuar promovime librash, ligjërata, diskutime letrare dhe aktivitete të tjera kulturore me pjesëmarrjen e autorëve nga Shqipëria dhe vende të ndryshme.
Edicioni i dytë i panairit “Libri të ban të lirë” do të mbyllet më 30 maj me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e këtij viti.

Artikulli paraprakAMNISTIA FISKALE, 2870 BIZNESE PËRFITUESE NË LEZHË
Artikulli tjetërSHOQATA “MËRGMTARI” SJELL FESTË NË SHTËPINË E TË MOSHUARVE