Për të gjashtin vit me radhë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Komunën e Ulqinit, organizuan Maratonën e Pavarësisë Shkodër – Ulqin 2017 si aktivitetin e parë të 28 Nëntorit në 105 vjetorin e pavarësisë, një traditë e cila vazhdon të mbahet me kërshëri.

Nga ora 09:00 e mëngjesit është bërë nisja e maratonistëve, ndërkohë që përfundimi final ishte Ulqini, përballë ndërtesës së komunës. Grumbullimi filloi që në orët e para të mëngjesit, ku dhjetra njerëz iu bashkuan kësaj maratone enkas për festat kombëtare, duke anashkaluar temperaturat e ftohta të fundit të nëntorit. Kjo maratonë është kthyer në traditë me synimin e bashkimit simbolik të trojeve shqiptare, për të qenë të bashkuar afër njëri-tjetrit, fal historisë dhe emocioneve të fituara që prej vitit 1912.

Distanca që maratonomakët kanë përshkruar është 42 kilometër. E veçantë e kësaj maratone, në të cilën mbizotëruan ngjyrat kuq e zi të flamurit, ishte numri i madh i personave që iu bashkuan, duke treguar edhe një herë dëshirën e madhe për kontributin ndaj atdheut, sidomos me trevat shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë.

Artikulli paraprakPRANGA 20-VJEÇARIT, PLANIFIKOI SULMIN TERRORIST NATËN E VITIT TË RI
Artikulli tjetërDITA E FLAMURIT NE HOT