Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar sërish, pasi policia tha është e pavërtetë që sot një efektiv pranë parlamentit të ketë pasur armë. Bardhi tha se policia e shtetit të Edi Ramës është e pabesueshme dhe është kthyer në mashtruese seriale. Ai tha se kjo polici ka gënjyer në rastin e vrasjes së Klodian Rashës, kur tha se Egli Proga vdiq i dehur dhe u rrëzua, kur deklaroi se në Shqipëri nuk ka toka të mbjella me kanabis etj.

“Është e njëjta Polici që tha sot se polici i Forcave Speciale nuk kishte armë brenda Kuvendit, ajo që më parë na ka thënë:

👉 Që i ndjeri Klodian Rasha ishte i armatosur prandaj e vrau Policia e Shtetit – GËNJESHTËR,

👉 Që i ndjeri Egli Proga vdiq se ishte i dehur dhe u rrëzua – GËNJESHTËR,

👉 Që në Shqipëri ka zero sipërfaqe të mbjella me kanabis – GËNJESHTËR, apo

👉 Që në protestën e 7 Tetorit nuk kishte asnjë protestues të lënduar dhe që ndodhej në spital – GËNJESHTËR, e plot e plot të tjera.

Gënjeshtrat i sajojnë aq trashë, sa edhe vetë propaganda e Qeverisë që Shqipëria është vend në lulëzim e sipër, ndërkohë që jemi të parët në Europë për numrin e qytetarëve në varfëri ekstreme. Propaganda dhe dezinformimi nuk e mbulojnë dot të VËRTETËN! Sot shteti personal i Edi Ramës degradoi në mashtrim, për shkak se doli zbuluar ashtu siç është -shtet arbitrar policor!”, shkruan Bardhi.

Artikulli paraprakStar Marketing – Pizzeri Arlindi, Shkoder
Artikulli tjetërTENSIONET TEK PARLAMENTI, SPIROPALI: KEQARDHJE E MADHE