Tirana është më pranë se kurrë titullit kampion në këto 11 vitet e fundit por sërish Egbo mban ambientin bardheblu me këmbë në tokë. Trajneri nigerian vijon të ruaj të njëjtin profil edhe tetë javë përpara fundit, nuk dëshiron të flas për titull e as për merkato, nuk preferon as të replikoj me presidentin Gjici dhe pjesën tjetër të Kukësit, thjeshtë është i përqendruar tek sfida e radhës, ajo e së hënës kundër Teutës:

“Kjo do jetë një ndeshje e radhës për ne, ndeshje që janë brenda 3 pikët dhe do shkojmë për të dhënë maksimumin. Do shkojmë në transfertë për të marrë atë rezultat që ne na duhet. Shpresojmë të marrim atë rezultat që duam.

Nuk kam koment për deklaratat që janë bërë nga Kukësi për ndeshjet tona me Bylisin dhe Luftëtarin. Unë e kam thënë gjithmonë që do të flas vetëm për ekipin tim dhe nuk flas për skuadrat e tjera. Tirana është ekip që i vlerëson të gjitha ndeshjet, si me ekipet që janë në fund dhe ato që janë lart në renditje. Ne i vlerësojmë të gjitha ndeshjet dhe hyjmë në fushë vetëm për të marrë maksimumin. Ne i quajmë të gjitha ekipet të barabarta me ne. Nuk na intereson se çfarë të thonë të tjerët.

Jemi të përqendruar vetëm për ndeshjen e nesërme, do përpiqemi të marrim maksimumin te ajo e nesërmja dhe pastaj do mendojmë për ndeshjet e tjera. Martini ka folur për ekipin e tij, unë për timin. Ne do të shikojmë nesër se çfarë do ndodhë. Fusha do tregojë gjithçka. Me ndihmën e Zotit shpresojmë të marrim rezultat pozitiv.

Ndeshjet çdo 3 ditë? Dy javë nuk mjaftonin për rifillimin e kampionatit. Ne po mundohemi ta menaxhojmë mirë këtë moment. Shyqyr që na lejohen nga 5 zëvendësime, të cilat na ndihmojnë shumë. Besoj se të gjithë lojtarët do jenë të gatshëm për nesër.
Pika e dobët e Teutës? Atë e dimë ne, por nuk mund ta them . Ne i kemi studiuar dhe analizuar dhe gjithçka ne do të shikojmë nesër se çfarë do të ndodhë.

Zërat e merkatos? Unë jam i fokusuar vetëm te kampionati. Nuk më interesojnë lëvizjet që do të ndodhin, ne jemi të fokusuar vetëm te objektivi jonë. Unë fokusohem te ndeshjet dhe ekipi që kam. Tirana ka elemente shumë të mirë dhe mund ta përballojmë edhe sezonin e ardhshëm me këta, nuk jam i interesuar për merkaton.

Sekreti? Nuk ka ndryshuar shumë gjëra, unë dhe ekipi im, përpiqemi të japim maksimumin në fushë. Mundohemi ta zgjidhim gjithçka brenda familjes, të gjitha problemet, dhe ky është sekreti. Jemi të gjithë si vëllezër dhe jemi një familje e madhe. Zoti na drejton të gjithëve, pastaj vjen presidenti dhe ne që drejtojmë.”, përfundoi Egbo.

Artikulli paraprakVIDEO/ SHAHINI MESAZH MATURANTËVE: PROVIMET KOMBËTARE NUK IU PENALIZOJNË, DUHET DEBAT PËR GJUHËN DHE LETËRSINË. NË PROTESTË STUDENTË TË PARTIVE
Artikulli tjetërREFORMA ZGJEDHORE/ YURI KIM TAKOHET ME RUDINA HAJDARIN: E RESPEKTOJ LUFTËN E SAJ PËR MË SHUMË