
Një ndeshje shumë e bukur është zhvilluar në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Egnatias, por në përfundim të takimit ishin rrogozhinasit që festuan, pasi triumfuan 2-0 në Shkodër përballë një rivali direkt. Miqtë nga Rrogozhina e mbyllën pjesën e parë në avantazh, falë një goli të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë nga Regi Lushkja.
Pjesa e dytë do të ishte akoma më e bukur, me dy skuadrat që krijuan raste të shumta për shënim. Vllaznia iu afrua golit të barazimit, por traversa dhe portieri Dajsinani i mohuan festën shkodranëve, të cilët kishin edhe pretendime për penallti për një pengim të Mensah në zonë. Megjithatë, në minutën e 97-të, ishte Zejnullai që shënoi një gol shumë të bukur dhe vulosi një fitore shumë të rëndësishme të Egnatias në transfertë.
Pas këtij suksesi, Egnatia ngjitet e vetme në krye të renditjes në kuotën e 39-pikëve, ndërsa Vllaznia zbret në vendin e katërt në kuotën e 37-pikëve.