Pavarësisht goditjes që ka marrë ekonomia nga pandemia globale COVID-19, agjencia Standard & Poor’s, e konsideron atë të qëndrueshme, me vlerësimin B+.

Sipas vlerësimit të fundit ekonomia e vendit do të tkurret ndjeshëm, dhe ndikimi më i madh dhe i drejtpërdrejtë do të jetë tek turizmi për shkak të varësisë që kemi ndaj tij dhe peshës së madhe që zë në ekonomi.

Parashikimi i agjencisë për deficitin buxhetor është në të njëjtin parametër të pritshëm edhe nga Ministria e Financave. Standard & Poor’s pret që deficiti të jetë 8.5%, për shkak të humbjeve në të ardhurave shpenzimeve shtesë që lidhen me pandeminë, dhe shpenzime të larta të kapitalit, ndërsa MFE ka parashikuar një deficit në nivelin e 8.4%.

Edhe për agjencinë niveli i borxhit publik do të arrij në 80%, i cili tashmë rrezikohet nga rifinancimi dhe luhatja në kursin e këmbimit.

Nga ana tjetër Standard & Poor’s vlerëson si rrezik i mundshëm fiskal partneritetin publik-privat (PPP) dhe nevojën për parashikueshmërinë e tyre. Përpos kësaj pamje të zymtë agjencia thotë se vendi mund ti kthehet ecurisë pozitive në vitin 2022, duke synuar edhe një herë konsolidim fiskal dhe ulje të borxhit publik.