Enver Sulejmani, drejtor i spitalit Pukë është bërë pre e një sulmi me eksploziv. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martes. Persona ende të paidentifikuar nga ana e policisë kanë vendosur eksplozivin në garazhin ku ndodhej makina e Sulejmanit në afërsi të bashkisë së Pukës.

Siç raporton edhe policia për këtë ngjarje nuk ka të lënduar sepse në momentin e shpërthimit nuk ka qenë askush aty. Dëme janë shkaktuar vetëm në makinën e drejtorit Sulejmani, në pjesën e pasme të saj. Burime pranë policisë mendohet se kanë qenë rreth 100 gram eksploziv që ka shpërthyer por ende nuk është përcaktuar lloji i eksplozivit. Vetë Sulejmani përmes një lidhje telefonike tregon se nuk ka patur konflikte me kënd. I pyetur nëse kjo lidhet me rreth 40 shkarkime që priten të bëhen në spitalin e Pukës dhe qendrat shëndetësore, drejtori Sulejmani thotë se ende askush nuk është shkarkuar. Policia po heton mbi këtë ngjarje dhe se me çfarë lidhet ashtu siç forcat xheniere kanë mbërritur për të identifikuar mbi llojin e materialit eksploziv që shpërtheu në makinën e drejtorit të spitalit të Pukës Enver Sulejmani.