Pjetër Rraboshta është fotografi i harruar i Shkodrës për mbi 70 vite. Për herë të parë në muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në qytetin e Shkodrës u hap një ekspozitë me mbi 80 foto të Rraboshtës. Drejtori i këtij muzeu Luçian Bedeni shprehet se është fatkeqësi që për një periudhë kaq të gjatë fotografi Pjetër Rraboshta u la tërësisht në hije.

Kuratori i kësaj ekspozite Zef Paci shprehet se janë mbi 16 mijë negative të Pjetër Rraboshtës që janë digjitalizuar në muzeun Marubi dhe një pjesë e tyre janë përzgjedhur në këtë ekspozitë për të treguar shijen e fotografit, jetën sociale të atyre viteve dhe një pjesë të Shkodrës të asaj kohe.

Djali i fotografit Pjetër Rraboshta, Kolë Rraboshta thotë se babai i tij kishte fatin të punonte me Kel Marubin por edhe të fotografonte festat, krezmime, martesa dhe objekte të ndryshme në familjet shkodrane.

Pjetër Rraboshta u lind në Shkodër në vitin 1917, Deri në vitet 1940, punon te Marubi bashkë me të birin e Kelit, Gegën. Në fillim të viteve ’40, hap studion e tij “Foto Rraboshta” ndërsa fotografon jetën sociale dhe çdo rast të familjeve shkodrane. Rreth vitit 1963, hyn në repartin e fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit dhe nuk del më për të fotografuar për shkak të problemeve shëndetësore

. Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej 16169 pozash. Ky arkiv, i pashoqëruar nga diçiturat përkatëse mbështetet në fuqinë që ka si imazh. Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër në vitin 1987 në moshën 70-vjeçare por duke lënë pas një pasuri të madhe sa i përket fotografisë.

Artikulli paraprakKONFIRMOHET KOALICIONI, LSDM DHE BDI GAROJNË SË BASHKU NË ZGJEDHJET LOKALE
Artikulli tjetërSHKODËR, RRITET NUMRI I PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR