
Ekspozita trajton marrëdhëniet mes dy vendeve përmes arkivave digjitale dhe narrativave vizuale, duke u ndalur te stereotipet e krijuara ndër vite, veçanërisht gjatë periudhës së tranzicionit teknologjik dhe përhapjes së platformave online.
Kuratorja e ekspozitës, Sara Dolfi Agostini, theksoi se “Olbania” ndërton një realitet paralel të krijuar në hapësirën virtuale, ku imazhet dhe perceptimet për Shqipërinë janë formësuar nga përdoruesit e internetit në vitet 2009–2010.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri, Alessandro Ruggera, e cilësoi ekspozitën si një formë komunikimi artistik mes dy kulturave dhe një mundësi për rishikimin e historisë së përbashkët.
Ndërkohë, drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, bëri të ditur se kjo është ekspozita e fundit për këtë vit kalendarik në këtë institucion, ndërsa shtoi se viti 2026 pritet të sjellë projekte dhe aktivitete të reja për publikun.
Ekspozita “Olbania” do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Muzeun “Marubi” deri në fillim të vitit të ardhshëm, duke ofruar një reflektim mbi imazhin, kujtesën dhe identitetin në epokën digjitale.






