
Galeria e Arteve në Shkodër ka mirëpritur ekspozitën personale “Magjia e vizatimit” të artistit të njohur Gazmend Leka. Ekspozita sjell para artdashësve një koleksion punimesh në vizatim, që përmbledhin krijimtarinë e autorit gjatë afro katër dekadave, duke dëshmuar evolucionin e stilit dhe botës së tij artistike.
Gjatë çeljes së ekspozitës, piktori Gazmend Leka ndau me të pranishmit reflektime mbi procesin krijues dhe rëndësinë që vizatimi ka pasur në gjithë rrugëtimin e tij artistik.
Kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha, e cilësoi krijimtarinë e Lekës si një nga kontributet më të rëndësishme në artin pamor shqiptar, duke vënë në pah rolin qendror që zë vizatimi në veprën e tij dhe vlerat artistike që përcjell kjo ekspozitë.
Edhe drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër, Fatmir Juka, e konsideroi ekspozitën një aktivitet me rëndësi për jetën kulturore të qytetit, duke theksuar se prania e artistëve të këtij niveli pasuron kalendarin artistik të Shkodrës.
Kjo është ekspozita e dytë personale e Gazmend Lekës në Shkodër, pas tetë vitesh. Përveç veprimtarisë së tij si piktor, ai njihet edhe si pedagog në Universitetin e Arteve, si dhe për kontributin e dhënë si regjisor i filmave të animuar në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.






