
Në kuadër të 5-vjetorit të Galerisë “Oda”, fotografja shkodrane Rozafa Shpuza ka çelur ekspozitën e saj më të re, “Qyteti që m’rrinë sy”, një projekt i konceptuar dhe kuruar artistikisht prej saj.
Përmes një serie fotografish bardhë e zi, artistja sjell një portret intim të Shkodrës, duke e shndërruar qytetin në një mozaik emocionesh, kujtimesh dhe detajesh urbane të kapura me ndjeshmëri të veçantë.
Zgjedhja e kësaj gjuhe vizuale nuk është rastësore; përkundrazi, ajo i jep më shumë thellësi dhe intensitet çdo imazhi, duke nxjerrë në pah dimensionin emocional të hapësirës urbane.
Kuratori i ekspozitës, Fatmir Juka, e vlerëson këtë prurje si një rrëfim të sinqertë artistik, ku ndërthuren vëzhgimi i mprehtë dhe lidhja personale e autores me qytetin e saj.
Ky vit shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin krijues të Shpuzës. Krahas fotografisë, ajo është shfaqur edhe në letërsi me vëllimin poetik “Vetimat e shuejnë inatin n’Bunë”, duke dëshmuar një profil të konsoliduar artistik dhe një qasje të shumëanshme ndaj krijimtarisë.






