“Shpirti Dervish” është ekspozita që u hap në Shkodër në bibliotekën “Marin Barleti” në qytetin e Shkodrës. 27 fotografi të artistit të njohur Fahredin Spahija u prezantuan në këtë ekspozitë personale e cila përmbledh punën 20 vjeçare të fotografit përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri.
Në këtë ekspozitë Spahija solli portretet e dervishëve në ngjyrat bardh e zi duke përcjellë gjendjen e tyre shpirtërore të shkëpëtur plotësisht nga bota e përditshme. Pikërisht kjo është ajo që kemi nevojë thotë fotografi, të thellohemi brenda portretit të njeriut.
Fotografi Spahija ka zgjedhur të fotografojë dervishët të cilët sipas studiuesve bën të ditur autori i ekspozitës janë të pranishëm në Shqipëri dhe Kosovë që 8 shekuj më parë, përpara se të vinte Perandoria Osmane.
Ajo që i bën të veçantë dervishët nga puna 20 vjeçare me ta tregon Spahija është se nuk bëjnë propagandë ndaj askujt për të ndjekur ritualet e tyre fetare.
Janë 27 fotografi në të cilat Fahredin Spahija përmes artit të tij përçon fuqishëm gjendjen shpirtërore të njeriut e veçuar nga pjesa tjetër e botës. Në këto imazhe janë dervishët në ritualet e tyre të zakonshme si këngë dhe vallëzime përmes veshjeve fetare që rrëfejnë përkatësinë e tyre. Ngjyrat bardhezi i japin një përjetim më dramatik portreteve të përzgjedhura nga autori.