Ekstradimin nga Italia të shtetasit Elton Tafili, të dënuar përfundimisht me 20 vite burgim për tragjedinë e 9 janarit 2004, drejtuesit e shoqatës me të njëjtin emër e cilësojnë jo të mjaftueshme për zbardhjen e ngjarjes.

Ata kërkojnë ngritjen e një grupi hetimor parlamentar në mënyrë që të pyeten edhe ata persona që nuk ishin prezent gjatë hetimeve. Zëvendës kryetari i shoqatës thotë se përgjegjësit e vërtetë janë drejtuesit e institucioneve të larta të rendit dhe sigurisë në atë kohë. E vetmja shpresë që kanë familjarët e 21 viktimave të 9 janarit është ndërhyrja e ambasadorëve të huaj dhe vullneti politik. Më 09 janar 2004, i ekstraduari Elton Tafili së bashku me 5 shtetas të tjerë, kanë organizuar trafikimin e disa shtetasve shqiptarë drejt Italisë kundrejt shumës 1500 euro për person. Në njoftimin e policisë thuhet se në momentin që gomonia ka dalë në ujrat territorialë të Republikës së Shqipërisë në drejtim të Italisë, është përmbytur duke shkaktuar vdekjen e 21 shtetasve. Arrestimi i shtetasit Elton Tafili u bë i mundur falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, bashkëpunim i cili u finalizua me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë më datë 10 shkurt.