Ekstradohet nga Gjermania dëshmitari i vrasjes së Hajdarit

Ekstradohet nga Gjermania 46-vjeçari Petrit Çakraj, i njohur si një nga dëshmitarët kyç në vrasjen e Azem Hajdarit. Petrit Çakraj ka mbërritur me avion pasditen e sotme në aeroportin e Rinasit. Ndaj Çakrajt, 46 vjeç nga Tropoja, Gjykata e Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për një vjedhje me dhunë të ndodhur vitin e kaluar. Më 3 korrik 2015, i prezantuar si agjent policie, Çakraj ka ndaluar dy shtetas kosovarë dhe u ka marrë atyre një shumë prej 9.200 eurosh, të cilat i mbanin në një çantë. Lokalizimi, arrestimi dhe më pas ekstradimi i tij u bë i mundur përmes bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Viezbaden. Në dhjetor të vitit 2014 Çakraj ngriti më këmbë policinë e Shtetit, gjatë një aksioni për arrestimin e tij në Tropojë, ku ai qëlloi me armë ndaj forcave të rendit. 46-vjeçari është i njohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë” dhe “Mashtrim”. Në maj të vitit 2014, Petrit Çakraj u arrestua te Ura e Dajlanit të Durrës ndërsa tentonte t’i jepte para një punonjësi policie, për të mos i bllokuar mjetin, pasi po udhëtonte pa patentë dhe pa asnjë dokument të mjetit. Çakraj i ka paraqitur para punonjësit të policisë tre dokumente si oficer i antiterrorit, për një tjetër agjenci të huaj hetimi dhe zbulimi. Pas arrestimit, gjykata e shkallës së parë në Durrës vendosi “Hetim në gjendje të lirë”, por prokuroria apeloi sërish dhe Gjykata e Apelit vendosi shpalljen në kërkim dhe arrestimin e tij.