Një 45-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Mirditë, teksa po shkonte në punë. Viktima, Valter Lleshi, u gjet pa shenja jete rreth orës 07:10, brenda automjetit të tij tip “Toyota”, në fshatin Shkorrët, përgjatë rrugës Reps–Spaç.45-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, duke marrë plagë të shumta, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 18 gëzhoja, ndërsa trupi i pajetë u konstatua nga një punëtor tjetër, i cili po shkonte në punë dhe njoftoi menjëherë policinë.
Në zonën ku ndodhi krimi nuk ka kamera sigurie, çka e vështirëson punën e hetuesve. Ndërkohë, policia po kryen kontrolle intensive, edhe me qen gjurmues, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.Viktima, Valter Lleshi, ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç. Në muajin mars të këtij viti, makinerisë së tonazhit të rëndë që ai drejtonte i ishte vendosur lëndë plasëse, por ajo nuk shpërtheu. Ishte vetë 45-vjeçari ai që konstatoi lëndën plasëse pranë gomës së përparme të mjetit dhe njoftoi policinë, e cila kreu shpërthimin e kontrolluar.Gjatë marrjes në pyetje, Lleshi kishte mohuar të kishte konflikte me persona të ndryshëm, duke e konsideruar ngjarjen si një sulm ndaj kompanisë ku punonte.
Valter Lleshi ishte me origjinë nga Fani dhe jetonte në qytetin e Rrëshenit. Ai ishte babai i dy fëmijëve dhe nuk njihej si person me precedent penal apo i skeduar nga policia.Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek perfshirja e tij në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur gjatë viteve të fundit në Mirditë, pasi rezulton të ketë pasur miqësi me fisin Reçi ne Rreshen.

Artikulli paraprakMASHTRONTE TË HUAJT PËR STUDIME JASHTË VENDIT
Artikulli tjetërAKSIDENT ME PASOJË VDEKJEN NË RRUGËN E KOMBIT