
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjteje në qytetin e Kurbinit, ku ka mbetur i vrarë një 40-vjeçar.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 22:10 është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj., i njohur edhe me disa identitete të tjera (I.L., I.K. dhe I.N.), rreth 40 vjeç. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe humbi jetën gjatë transportimit.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si edhe për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.






