Vllaznia vijon përgatitjet për ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Elbasanit, por trajneri Edi Martini duhet të bëjë llogaritë me dy mungesa të rëndësishme. Erdenis Gurishta dhe Francois Dulysse nuk do të jenë të gatshëm për këtë sfidë, duke e detyruar stafin teknik të rishikojë alternativat në formacion. Gurishta mungon për shkak të pezullimit që nga sezoni i kaluar, ndërsa Dulysse është i skualifikuar pas kartonit të kuq të marrë në përballjen ndaj Skënderbeut. Këto dy mungesa prekin pikërisht repartin e mbrojtjes, duke i krijuar Martinit një tjetër dilemë për përbërjen e prapavijës. Trajneri shkodran tashmë po teston alternativat që ka në dispozicion, me synimin për të ruajtur ekuilibrat e skuadrës. Një nga zgjidhjet që mund të përdoret është zhvendosja e Emiljano Mustës në qendër të mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër e repartit pritet të plotësohet nga lojtarët e gatshëm. Vllaznia e nisi sezonin me një barazim 2-2 ndaj Skënderbeut dhe tashmë kërkon të marrë pikët e plota në ndeshjen e rradhës ndaj Elbasanit.
Për Martinin, sfida nuk është vetëm përballja me Elbasanin, por edhe menaxhimi i mungesave dhe gjetja e kombinimit më të mirë të formacionit, sidomos pas problemeve të shumta që Vllaznia shfaqi në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut. Gjatë gjithë kësaj jave, kuqeblutë kanë zhvilluar seancat stërvitore me një fokus të veçantë te organizimi në prapavijë, ndërsa trajneri Edi Martini pritet ta përcaktojë formacionin përfundimtar vetëm në orët para ndeshjes. Këto dy mungesa janë një pengesë e rëndësishme për Vllazninë, sidomos me organikën e këtij viti, e cila duhet thënë se nuk është edhe aq shumë cilësore sa sezonet e kaluara, por gjithsesi trajneri Edi Martini shpreson që alternativat në dispozicion të japin përgjigjen e duhur dhe skuadra të marrë fitoren e parë në këtë kampionat.


