Emergjencat Civile, situata e rrugëve në qarqet e vendit

Zyra e Emergjencave Civile ka bërë të ditur situatën e orëve të fundit në qarqe të ndryshëm të vendit, ku ka pasur vështirësi në qarkullim për shkak të motit të keq. Në Kukës dhe Has të gjitha akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë, përjashtuar aksin rrugor Ura e Zapodit-Shishtavec me zinxhirë. Në Tropojë, në aksin nacional Bajram Curri-Valbonë deri në Dragobi qarkullohet pa zinxhirë, Dragobi-Valbonë qarkullohet me zinxhirë. Trashësia e dëborës e rënë sot është 30 cm. Aksi Bajram Curri-Kam-Qafa e Luzhës me zinxhirë. Trashësia e dëborës e rënë sot është 25 cm, ndërkohë qe reshjet me intensitet të ulët vijojnë. Aktualisht është furnizuar i gjithë Qarku me energji elektrike. Në të gjithë Qarkun e Kukësit ka vazhduar procesi mësimor, të gjitha shkollat kanë pasur ngrohje. Kanë marrë pjesë në shkollë 92 % e nxënësve. Ndërkaq, edhe nga policia e Vlorës është bërë e ditur situata. Aksi rrugor i Llogorasë është i bllokuar nga reshjet e dëborës nga të dyja anët hyrëse, nga Dukati dhe Palasa. Reshjet e dëborës janë në rënie me intensitet të lartë dhe për shkak të tyre mjetet nuk mund të qarkullojnë as me zinxhirë. Këshillohet që të shmanget ky aks rrugor deri të hapjen e rrugës nga borëpastrueset, me qëllim që mjetet të mos mbeten të bllokuara.