
Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer, duke konfirmuar përmasat masive dhe afatgjata të emigracionit shqiptar.
Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa mbi 108 mijë persona janë kthyer në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit, duke e bërë migracionin një cikël të vazhdueshëm dhe jo një fenomen të përkohshëm.
Sipas anketës Rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer.
Të dhënat tregojnë se emigracioni është kryesisht një fenomen i të rinjve në moshë pune, veçanërisht meshkuj. Gati tre të katërtat e emigrantëve aktualë janë meshkuj dhe shumica i përkasin grup-moshës 25–44 vjeç, pikërisht bërthama më produktive e tregut të punës.
Në aspektin arsimor, emigrantët janë më të arsimuar se popullsia që mbetet në vend: mbi dy të tretat kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe rreth 18% kanë arsim të lartë, me diferenca të theksuara sipas vendit pritës. SHBA-ja dhe Gjermania tërheqin emigrantët më të arsimuar, ndërsa Greqia mbetet destinacioni kryesor për emigrantët me arsim më të ulët.
Para largimit, shumica e emigrantëve janë të punësuar në Shqipëri, por kryesisht në profesione me aftësi të ulëta ose të mesme dhe me paga më të ulëta se mesatarja.
Në të njëjtën kohë, pritshmëritë për jetën jashtë rezultojnë të fryra, emigrantët presin të fitojnë mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale janë rreth 2,200 dollarë, ndërsa kursimet reale janë pothuajse trefish më të ulëta se sa ishin parashikuar.
Megjithëse emigracioni rrit ndjeshëm të ardhurat, emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa në Shqipëri, përfitimet shoqërohen me pasiguri të konsiderueshme. Një në tre emigrantë punon pa kontratë të shkruar dhe mbi një e katërta nuk përfiton sigurime shoqërore apo pushime të paguara, duke e bërë punësimin më të pasigurt krahasuar me popullsinë vendase në vendet pritëse.
Një tjetër problem i theksuar është nënshfrytëzimi i kapitalit njerëzor, pasi rreth një e treta e emigrantëve aktualë dhe afro 80% e emigrantëve të kthyer me arsim të lartë punojnë në profesione që kërkojnë kualifikime më të ulëta se arsimi i tyre.
Remitancat mbeten një nga përfitimet më të drejtpërdrejta të emigracionit për ekonominë shqiptare. Rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë marrë remitanca gjatë vitit të fundit dhe për këto familje, dërgesat nga jashtë përbëjnë mesatarisht 41% të të ardhurave totale.






