Hungaria do të përdorë ushtarët rezervistë për të përballuar fluksin e madh të refugjatëve. Vendimi i qeverisë u bë publik të shtunën nga ministri hungarez i mbrojtjes Istvan Simicsko nëpërmjet agjensisë së lajmeve TMI. Rezervistët do të përdoren për të plotësuar vendet e lëna bosh nga ushtarët në kufi, por mund të caktohen edhe në detyra të tjera.

Budapesti gjithashtu po përdor një retorikë të ashpër me vendet fqinje si Serbia dhe Kroacia, të cilat kanë dënuar dhunën e ushtarëve hungarez ndaj emigrantëve në kufi. Ndërkohë policia sllovene, mbrëmjen e se premtes, ka përdorur spraj me piper ndaj emigrantëve që u përpoqën të kalonin kufirin nga territori kroat. Qindra refugjatë në përpjekje për të kaluar përmes Ballkanit drejt europës veriore, kaluan mengjesin e se shtunes në stacionet hekurudhore.
KUBË, NISIN PËRGATITJET PËR VIZITËN 4-DITORE TË PAPA FRANÇESKUT
Havana dhe qytete të tjera të Kubës janë në ethet e përgatitjeve për mbërritjen e Papa Françeskut. Në kryeqytet, rrugët po shtrohen dhe katedra është duke u rinovuar. Papa argjentinas do të qëndrojë 4 ditë në Kubë përpara se të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo është e para vizitë e tij në të dy vendet ish-armike të betuara që sot i kanë shkrirë akujt dhjetëra vjeçare mes tyre.Vatikani deklaroi dy ditë më parë se shpreson që vizita e Françeskut të ndihmojë në heqjen e embargos së Shteteve të Bashkuara e të çojë nga ana tjetër edhe drejt një përmirësimi të lirive dhe të drejtave të njeriut në vendin komunist. Nuk është një rastësi edhe vendimi i tij për të udhëtuar drejt Uashingtonit, pasi të lërë Havanën. Zbutja e marrëdhënieve të urrejtjes mes dy vendeve këto muajt e fundit i detyrohet pjesërisht edhe ndërmjetësimit të tij, që pati peshë të madhe në kryeqytetet përkatëse. Të premten, Shtetet e Bashkuara njoftuan lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit dhe biznesit me Kubën, hapi më i fundit ky që Barack Obama hedh drejt përmirësimit të relatave dypalëshe.