
Kandidatët demokratë për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hilari Clinton dhe Bernie Sanders kanë debatuar ashpër për çështjen e emigracionit dhe tema të tjera të ndjeshme në një debat televiziv në Florida, 5 ditë para raundit tjetër të votimeve paraprake.
Zgjedhjet në Florida konsiderohen shumë të rëndësishme, pasi ka gjithsej 246 delegatë. Gjatë debatit të zhvilluar në Miami, ish-Sekretarja e Shtetit Clinton ka kritikuar senatotin e Vermontit Sanders për votimin kundër reformës së imigracionit në vitin 2007. “Imagjinoni se ku do të ishim sot nëse do të kishim votuar reformën 9 vite më parë”, tha ajo. Sanders është mbrojtur, duke argumentuar votën kundër me faktin se reforma ishte e ngjashme me skllavërinë. Sanders akuzoi ish-Sekretaren e Shtetit se ka kundërshtuar që të gjithë emigrantët e paligjshëm të marrin patentën e shoferit. Clinton dhe Sanders kanë diskutuar edhe për krijimin e vendeve të punës, arsimin dhe ndryshimet klimatike. Në bazë të rezultateve nga këto zgjedhje, partitë zgjedhin kandidatin e tyre që do të garojë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në SHBA. Deri tani garën e demokratëve e kryeson Hilari Clinton, kurse tek republikanët është miliarderi Donald Trump që po fiton pjesën dërmuese të zgjedhjeve paraprake.


