Emigrantët kanë sjellë tek të afërmit e tyre mbi 340 milionë euro në 6 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të bilancit të pagesave, të bëra publike nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2012.

Në raport me janar-qershor të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 25%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është më i lehtë, me rreth 2.2%.

Rolin kryesor në këtë tendencë në raport me para krizën e ka luajtur tremujori i parë. Në janar-mars të këtij viti, paratë që emigrantët dërguan tek të afërmit e tyre në Shqipëri arritën në 169 milionë euro, niveli më i lartë që nga viti 2010, me rritje 12.5% në raport me tremujorin e parë 2019. Aktorët e tregut pohuan se një faktor që ndikoi lidhej me faktin që si rrjedhojë e shpenzimeve të rritura të familjeve për të përballuar pasojat që dha në shëndet Covid-19, fëmijët nga jashtë kanë dërguar më tepër mbështetje se zakonisht në muajt e parë të vitit.

Në tremujorin e dytë, remitancat ishin 42% më të larta se e njëjta periudhë e vitit pandemik (kur si rrjedhojë e mbylljes së menjëhershme të Europës efekti te dërgesat ishte i lartë). Por, ato ishin në rënie prej 10.7%, në krahasim me prill-qershorin e 2019-s.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para.

Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013.