
Edhe pse kanë kaluar 13 ditë që nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të gjetur ende njerëz të tjerë nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit në Turqi kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat tre persona, përfshirë një fëmijë, 13 ditë pasi një tërmet masiv mori dhjetëra mijëra jetë.
Edhe pse shpresat janë të pakta dhe disa ekipi shpëtimi të shteteve të tjera janë kthyer në vendet e tyre, ekipet turke po vazhdojnë kërkimin me shpresën se do gjejnë ende njerëz të tjerë të gjallë nën rrënoja. Deri më tani shifra alarmante e humbjeve të jetës shkon deri në 45 mijë, por pritet të rritet.


