Moti i keq i orëve të natës ka sjell probleme të mëdha në shumë zona të Shkodrës.

I shoqëruar me erëra të fuqishme, nuk kanë munguar dëmtimet edhe në varrezat e Golemit. Një numër i madh pemësh rreth 30 vjeçare janë shkulur nga rrënjët për shkak të erërave të forta, duke dëmtuar kështu një numër të marrë varrezash. Menjëherë, mëngjesin e së premtes kanë mbërritur punëtorët për të bërë bilancin e dëmeve dhe pastrimin e pemëve, të cilat janë shtrirë mbi varre.

Agim Tahiri, përgjegjës i kompanisë për mirëmbajtjen e varrezave të Golemit bën me dije se dëmet janë të konsiderueshme. Varrezat e Golemit, asnjëherë më parë nuk janë dëmtuar deri në këtë shkallë si pasojë e gjendjes atmosferike. Era e fortë është ndihmuar edhe nga relievi fushor në këtë zonë. Fillimisht pritet të bëhet bilanci i dëmtimeve dhe më vonë në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër do të procedohet edhe për mundësinë e riparimit të dëmeve.