Turqia mund të ndërmjetësojë përplasjet [mes Moskës dhe Kievit] për centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i tha presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, homologut rus, Vladimir Putin në një telefonatë më 3 shtator.

“Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia mund të luajë një rol lehtësues në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, ashtu siç bëri në marrëveshjen e grurit”, tha zyra e Erdoganit në një deklaratë, duke iu referuar një marrëveshjeje të eksportit të grurit të nënshkruar në korrik nga Rusia dhe Ukraina, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia.

Zaporizhzhia, që ka rënë nën kontrollin rus pak ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, është centrali më i madh bërthamor në Evropë. Më 18 gusht në Lviv të Ukrainës, presidenti ukrainas, Zelensky është takuar me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku kanë diskutuar për centralin bërthamor të Zaporizhzhias.

“Ne jemi të shqetësuar. Nuk duam një Çernobil tjetër”, tha Erdogan gjatë konferencës për media pas takimeve në Lviv.

Forcat ruse dhe ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës, duke ngritur shqetësime për një fatkeqësi të mundshme bërthamore. Inspektorët nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që vizituan centralin këtë javë, shprehën shqetësimin për “integritetin fizik” të objektit. Luftimet përreth ndërtesave bërthamore kanë rritur shqetësimet për ndonjë fatkeqësi të mundshme bërthamore. Centrali i pushtuar i Zaporizhzhias operohet nga inxhinierët ukrainas. Misioni i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore pritet të qëndrojë në central deri më 3 shtator. Inspektorët pritet të shikojnë dëmin fizik në ndërtesë, tha operatori shtetëror i energjisë në Ukrainë, Enerhoatom. Shumica e inspektorëve të OKB-së u larguan nga centrali më 1 shtator, njoftoi agjencia, duke shtuar se inspektorët qenë në gjendje të monitorojnë situatën.

Artikulli paraprakVRASJA E ÇEKORES, LIHEN TË LIRË 15 TË SHOQËRUARIT
Artikulli tjetërULET KONSUMI/ EDHE GJERMANËT PO SHTRËNGOJNË RRIPIN