“Shqipëria është më mirë të ketë më pak ndotje se normat e larta aktuale”.

Kështu shprehet Boris Erg drejtor i qendrës botërore për mbrojtjen e natyrës i pyetur për situatën e ndotjes në Shqipëri. Erg shprehet se duhen marrë masa konkrete për reduktimin e ndotjes. “Është më mirë të ketë më pak ndotje. Patjetër që duhen ndërmarrë masa më konkrete për të reduktuar këtë nivel ndotje dhe për të adresuar problemet që shkaktojnë. Vizita e parë në Velipojë për mua në zonën e plazhit ka qenë para 6 vitesh dhe sot shoh një përmirësim të ndjeshëm sepse ka qenë një gjendje e dëshpërueshme për mbetjet e ngurta. Patjetër që ka shumë për të bërë në këtë drejtim, ende nuk janë zgjidhur një sërë problemesh dhe të gjithë bashkë duhet që të kontribuojmë që t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim në mënyrë sa më të qëndrueshme”. Sipas kreut të qendrës botërore për mbrojtjen e natyrës shprehet se Shqipëria po ndihmohet në adresimin e problemeve që lidhen me planifikimin urban, menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen në tërësi. “Biodiversiteti është fokusi kryesor që kemi për ruajtjen e natyrës dhe ne shohim biodiversitetin të lidhur ngushtë edhe me programet e zhvillimit kombëtar. Vetë mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë të pandashme dhe të lidhura ngusht. Duke ndihmuar institucionet shqiptare të përmirësojnë punën e tyre në mbrojtjen e natyrës, ne në të njëjtën kohë ndihmojmë edhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe adresojmë edhe çështje që lidhen qoftë me planifikimin urban, qoftë me mirëmenaxhimin e mbetjeve apo edhe me adresimin e problemeve të ndotjes”. I pyetur për importin e plehrave në Shqipëri Erg nuk mbajti një qëndrim pro apo kundër por tha se nuk është problem ky ligj në vetvete por moszbatimi siç duhet i ligjeve. “Nga eksperienca mund të them se mbase nuk është problem tek ligji për importin e plehrave por kërkohet një politikë gjithëpërfshirëse më e mirë dhe një zbatim i ligjit më i fortë dhe nëse këto zbatohen atëherë çdo ligj është i mirë në vetvete dhe nuk ka ndikim”. Drejtori i Qendrës Botërore të Natyrës vlerësoi liqenin e Shkodrës për potencialet por edhe lumin Buna dhe plazhin e Velipojës duke thënë se nëse shfrytëzohen siç duhet janë mundësi të mira jo vetëm për ardhjen e turistëve por edhe për gjenerim të ardhurash.