Frikë dhe ankth për futbollin botëror. Një nga yjet është në luftë për jetën. Danezi Christian Eriksen pësoi arrest kardiak në fushë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Ndeshja Danimarkë-Finlandë është pezulluar në minutën e 42-të dhe nuk do të luhet më të paktën ditën e sotme. Ky ishte vendimi zyrtar i UEFA-s pas momentit tronditës kur mesfushori pësoi kolapsin.

Pas disa minutave masazh kardiak, futbollisti u transportua me barrelë drejt ambulancës. I gjithë opinioni sportiv është me sy dhe veshë nga të rejat e fundit në lidhje me gjendjen e Eriksen, i cili ndodhet në gjendje kritike.

Eriksen po shkonte të kryente një rivënie anësore kur ra në fushë duke alarmuar menjëherë lojtarët që kishte pranë. Disa shokë të skuadrës u munduan të përmendnin futbollistin ,por më pas u thirr stafi mjekësor i ekipit që ndërhyri për të përmendur numrin 10 të danezëve, i cili ishte i shtrirë pa ndjenja.