
Situata e krijuar nga erozioni detar në zonën e Kunes, në Shëngjin, i cili gjatë muajve të fundit ka prekur edhe infrastrukturën dhe bizneset që shtrihen në brezin e rërës, ka vënë në alarm banorët dhe vizitorët. Ata kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për frenimin e këtij fenomeni, i cili rrezikon seriozisht ekzistencën e bregdetit të Kunes, një ndër zonat turistike më të frekuentuara gjatë sezonit veror.
Pas asgjësimit të sipërfaqeve të mëdha rërë dhe pishave dhjetëra vjeçare, stuhitë detare të muajve të fundit kanë shkatërruar edhe shëtitoren e Kunes në një gjatësi të konsiderueshme dhe kanë sjellë dëmtime në disa biznese. Alarmi për erozionin detar është dhënë prej vitesh, por deri tani kanë munguar ndërhyrjet për t’i bërë ballë avancimit të detit drejt tokës.






