DILEMAT MË TË MËDHA MBETEN NË MBROJTJE MES AJETIT DHE CURRIT. Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Gianni De Biasi po u jep dorën e fundit përgatitjeve në Durrës nën masa të rrepta sigurie duke mos lejuar praninë e mediave për ndeshjen me Armeninë të dielën në Elbasan. Dilema e vetme e De Biasit për formacionin e parë që do të zbresë në fushë ndaj armenëve është vetëm balotazhi në qendër të mbrojtjes mes Debatik Currit dhe Arlind Ajetit përkrah kapitenit Lorik Cana, nëse Mërgim Mavraj nuk do të arrijë që të rikuperohet. 

Sipas burimeve nga kombëtarja qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj së bashku me stafin mjekësor janë larguar nga resorti në Durrës në drejtim të spitalit për të vijuar me ekzaminimin më të detajuar të dëmtimit të 29-vjeçarit. Të enjten timonieri kuqezi ka zhvilluar një ndeshje kontrolli me Kombëtaren U-19 të drejtuar nga Lala për të parë nga afër gjendjen fizike të lojtarëve edhe skemat që do të përdorë ndaj Armenisë. Ndaj Armenisë De Biasi pritet që të zbresë në fushë me formacionin 4-3-2-1. Në Portë do të jetë si gjithmonë Etrit Berisha, ndërsa para tij ne qendër të mbrojtjes Cana me Currin ose Ajetin, nga krahët Hysaj dhe Agolli. Mesi i fushës do t’i besohet Xhakës, Kaces dhe Abrashit, teksa para tyre për të furnizuar sulmuesin e vetëm Sokol Cikalleshi do të jenë Rama dhe Roshi. Ndërsa presidenti i FSHF, Armand Duka nga Gjirokastra ka deklaruar se ndeshja me Armeninë është më e rëndësishme e këtij edicioni, jo vetëm për faktin e pozicionit në klasifikim por edhe për faktin se Armenia është një kundërshtar shumë i rrezikshëm, por gjithsesi duhet mundur.

Artikulli paraprakWILTON: GJAKMARRJA TË TRAJTOHET SI KRIM
Artikulli tjetërMATURA SHTETËRORE, DALIN DATAT E PROVIMEVE