E mërkura është një ditë vendimtare për fatet e shumë kombëtareve në kampionatin Europian. Mjafton të përmendësh që kampionët e Europës në fuqi, Portugalia, duhet të marrë të paktën një pikë kundër Francës për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën tjetër.

Në sfidën e orës 21:00, që do luhet në Budapest, Franca shkon e qetë pasi e siguroi fazën tjetër që në sfidën e dytë të grupit. Pavarësisht kësaj trajneri Deschamps pritet të aktivizojë 11 titullare, pasi vendi i dytë në grupin F do përballet me Anglinë në 1/8.

Ndërkohë te Portugalia trajneri Fernando Santos nuk do ketë shqetësimin e mungesave, pasi pjesë e skuadrës në këtë përballje decizive do jetë edhe Joa Felix. Luzitanët janë në kuotën e 3 pikëve dhe nëse marrin një humbje me shumë gola mund t’i thonë lamtumirë kompeticionit.

Me mjaft interes pritet edhe sfida tjetër e këtij grupi mes Gjermanisë dhe Hungarisë, që luhet po në orën 21:00. Fitorja kualifikon secilën prej dy kombëtareve, por Gjermanisë i mjafton edhe një barazim.

Gjithsesi ‘panzerat’ pas fitores me Portugalinë duan të tregojnë vazhdimësi dhe të jenë bindës për më tej. Për këtë ndeshje Joachim Loë ka të padisponueshëm Thomas Myller, por edhe pse janë të grumbulluar Hummels dhe Gundogan pritet të mos luajnë për shkak dëmtimi.

Përveç grupit F edhe grupi E do të luajë sot në orën 18:00 dy ndeshjet e fundit. Sytë do jenë të drejtuara te Spanja e cila duhet të fitojë me patjetër kundër Sllovakisë, pasi barazimi nuk ka asgjë të sigurtë. ‘La Roha’ që vjen pas dy barazimeve në ndeshjen decizive do ketë të disponueshëm edhe Busquets, ndërsa Moreno që humbi penallti me Poloninë pritet ta nisë nga stoli.

Të sigurtë kualifikimin në këtë grup e ka vetëm Suedia, që sonte përballet me Poloninë. Kjo e fundit ka vetëm një alternative për të kaluar më tej, fitoren. Lajmi i mirë për Poloninë është rikthimi i Krychoëiak, ndërsa të dëmtuar vijojnë Piontek dhe Milik. Te Suedia nuk ka asnjë mungesë dhe pavarësisht se janë të kualifikuar trajneri Anderson do hedhë në fushë lojtarët e tij më të mirë.