Euro dhe dollari e mbyllin javën në rritje në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha Evropiane u këmbye të premten me 117.81 Lekë, në rritje me 0.71 pikë në raport me fundin e javës së kaluar. Rritja e monedhës evropiane në muajin shtator lidhet kryesisht me largimin e pushuesve.

Gjatë këtij sezoni veror euro preku nivelet më të ulëta historike në kursin e këmbimit valutor, e ndikuar edhe nga numri i lartë i turistëve që hynë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Në fund të muajit korrik, Euro zbriti deri në nivelin e 116.6 Lekëve, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Leku ka humbur pikë edhe ndaj dollarit amerikan. Aktualisht Dollari këmbehet me 117.85 Lekë, afërsisht 0.85 pikë më shumë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Mbiçmimi i dollarit reflekton forcimin e monedhës amerikane në tregjet botërore dhe kryesisht në raport me Euron. Rënia e Euros poshtë vlerës së Dollarit Amerikan ka bërë që monedha e gjelbër të forcohet edhe ndaj Lekut, duke bërë që në fund të gushtit për herë të pare të këmbehet më lartë se monedha evropiane. Forcimi i Dollarit ka një impakt negativ sidomos në çmimin e lëndëve të para dhe nënprodukteve, që zakonisht kuotohen dhe shiten në monedhën amerikane.

Efekti më i ndjeshëm është në çmimet e karburanteve, që prej muajsh tregtohen me çmim tavan të fiksuar nga Bordi i Transparencës dhe ku kursi i këmbimit të Dollarit është një nga elementët që përdoren në formulën e llogaritjes së çmimit.