Vijon të rëndohet bilanci i viktimave nga përmbytjet në Gjermani, ku numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 133, ndërsa me qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Po ashtu reshje të dendura shiu kanë përfshirë edhe Zvicrën, Luksemburgun e Holandën, ku kryeministri Mark Rutte ka shpallur gjendjen e katastrofës kombëtare në një provincë jugore.

Sipas BBC, Presidenti Gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se ishte “tronditur” nga shkalla e shkatërrimit të shkaktuara nga përmbytjet. “Vende të tëra janë dëmtuar nga katastrofa. Shumë njerëz kanë humbur atë që kishin ndërtuar gjithë jetën e tyre”, ka thënë ai pas një vizite në një nga rajonet e prekur.

Në Gjermani, puna e ekipeve të shpëtimit u pengua nga kushtet e vështira të motit ditën e djeshme, duke pezulluar punën për disa orë. Rrjetet telefonike janë prishur në rajonet e prekur dhe rrugët janë dëmtuar rëndë, ndërsa landet më të prekur janë Nordrhein-Westfalen, Rheinland-Pfalz dhe Saarland.

Në Belgjikë, ushtria ka shkuar në 10 provincat e vendit për të ndihmuar në shpëtimin dhe evakuimet, ndërsa kryeministri Alexander De Croo tha se këto përmbytje “janë më katastrofiket që ka parë vendi”. Në Holandë, mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre në provincën Limburg.

Udhëheqësit evropianë kanë fajësuar motin ekstrem në ndryshimin e klimës, ndërsa ekspertët thonë se bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga epoka industriale.