Europa Nostra ka lëshuar një raport teknik mbi nevojën urgjente të rehabilitimit të Urës së Zogut në zonën e Milotit në Shqipëri, si një ndër shtatë vendet e trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Europë.Në një deklaratë për shtyp të federatës pan-Europiane Europa Nostra dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve bazuar në rezultatet e një raporti teknik mbi Urën e Zogut në Shqipëri, theksohet nevoja urgjente për shpëtimin nga shembja dhe rehabilitimin e kësaj ure.

“Ura e Zogut ishte në gjendje të keqe, kur u përfshi në listën e shtatë më të rrezikuarve në mars 2022, por gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë dramatike pas një përmbytjeje të madhe në nëntor 2022, kur një skelë që mbështet urën u zhvendos shumë më tej, duke krijuar një rrezik serioz shembjeje”, citon raporti teknik mbi gjëndjen e degraduar të Urës së Zogut në muajt e fundit.

Ura e Zogut, e njohur si monument kombëtar që prej vitit 1999, është përfshirë në listën e shtatë vendeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara për vitin 2022 në Europë.Ura, e cila ndodhet në zonën e Milotit, ekziston që prej vitit 1927 e përbërë fillimisht prej gjashtë harqesh. Ajo u shkatërrua në Luftën e Dytë botërore dhe aktualisht ka mbetur me pesë harqe, për të dalë përfundimisht jashtë funksioni në vitin 1978.Gjatë muajit Shkurt 2023 një mision ekspertësh nga Europa Nostra dhe Instituti BEI vizituan Urën e Zogut dhe formuluan raportin teknik mbinevojën e shpëtimit dhe ristaurimit të urës bazuar në vëzhgimet e tyre.

“Gjatë misionit, Pedro Ponce de Leon, arkitekt dhe anëtar i Këshillit të Europa Nostra, dhe Peter Bond, Konsulent Teknik i ofruar nga Instituti BEI, patën takime me aktorët kryesorë, duke përfshirë Ministrinë e Kulturës, Ekipin Teknik të Universitetit Politeknik të Tiranës, Shoqatën Shqiptare të Inxhinierëve Konsulent, Drejtorinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Shoqatën Sebastia”, thekson deklarata për shtyp e Europa Nostra dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve.

Raporti teknik e quan projektin e rehabilitimit të vlefshëm dhe sfidues dhe vë theksin në zbatimin urgjent për shpëtimin e urës nga shembja.

“Këto përpjekje duhet të shtrihen në kohën e duhur përtej masave të menjëhershme parandaluese në një rehabilitim të plotë të urës. Njëqind vjetori i hapjes së urës është në vitin 2027 dhe ky mund të jetë një objektiv i përshtatshëm për rehabilitimin e plotë të saj.”, shkruan raporti teknik mbi termat kohorë të restaurimit.

Sipas raportit, faza e parë e rehabilitimit ka një kosto prej 69 milion lekësh dhe një kohëzgjatje dy mujore, ndërsa kosto dhe kohëzgjatja e fazës së dytë janë akoma të papërcaktuara.

Artikulli paraprakBANORËT: 30 VITE PA RRUGË, JETOJMË SI NË MESJETË
Artikulli tjetërFSHATI KU JETOHET SI NË MESJETË