
Europol ka një surprizë për kriminelët më të kërkuar. Mes tyre shqiptari Aleks Burreli
Në këto prag festash, Europol ka menduar diçka ndryshe për personat më të kërkuar në Evropë dhe që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nëse do të hyni në faqen e EUROPOL, do ju shfaqen kriminelët më të kërkuar nga autoritetet e vendeve evropiane. Risia është se ata shfaqen përmes një kartoline të festave të fundvitit dhe nëse klikoni çdonjërin prej tyre, atëherë ju shfaqet një prezantim i shkurtër me video se çfarë krimi ka kryer. Europol sot ka publikuar në faqen zyrtare prezantimin e pestë me video dhe është pikërisht për shqiptarin Aleks Burreli, i cili kërkohet nga autoritetet qipriote për një vrasje të trefishtë në një restorant, ngjarje e ndodhur rreth 4 muaj më parë. Përmes kësaj metode të veçantë, Europol synon ndërgjegjësojë më shumë qytetarët të cilët nëse kanë informacion për personat më të kërkuar, ti denoncojnë menjëherë pasi akuzohen për vepra të rënda penale dhe janë të rrezikshëm.






