Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se 11,000 persona janë evakuuar nga Kabuli gjatë fundjavës dhe është zotuar që t’iu ndihmojë të gjithë amerikanëve që duan të largohen nga Afganistani.

Biden tha se përpjekjet për të evakuuar njerëzit nga aeroporti i Kabulit po përshpejtohen, me trupat amerikane që zgjerojnë perimetrin rreth vendit.

Mijera afganë janë në radhë para portave hyrëse në aeroportin e Kabulit në përpjekje të dëshpëruara për të ikur nga vendi pasi talebanët erdhën në pushtet më 15 gusht.

Zoti Biden tha të dielën se SHBA kishte evakuuar gati 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar.

Ai tashme po përballet me presionin për të zgjatur një afat për evakuimet përtej 31 gushtit.

Presidenti tha se diskutimet po zhvilloheshin me udhëheqësit e vendeve të tjera për shtyrjen e afatit, por se sipas tij nuk do të jetë e nevojshme që të shtyhet afati.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne kemi bërë ndryshime, duke përfshirë shtrirjen e zonës së hyrjes përreth aeroportit – zonës së sigurt,” tha ai, duke shtuar: ‘Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë’

Më herët, Pentagoni tha në një deklaratë se 18 avionë komercial do të përdoreshin për të ndihmuar transferimin e evakuuarve në vendet e treta nga vendet e sigurta jashtë Afganistanit.

Artikulli paraprakKTHJELLIME DHE TEMPERATURA NË RRITJE, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërSHIFRAT ALARMANTE TË COVID-IT, PEZULLOHEN OPERACIONET JO URGJENTE NË KOSOVË, VIZITAT REDUKTOHEN NË 50%